Monday, April 21, 2014

Karnevalet e vesh-prerëve (mars 2014)

botuar në revistën KLAN - mars 2014



Dikush më pyeti nëse di gjë a po zhvillohen karnevalet në Shkodër, një pyetje që më kapi jo vetëm të pa-informuar por dhe të habitur. Kujt i interesojnë karnevalet? Po zhvillohen karnevalet në Brazil, por, në tavolinat tona nuk para flitet për karnevale. Flitet, çuditërisht shumë për Ukrainën. Ndoshta po bëhen karnevale dhe në Shkodër, kushedi. Karnevalet kanë vdekur prej kohësh, bashkë me ata që i bënin dikur. Shoh ndonjëherë më të rrallë ndonjë bisht kronike për diçka të organizuar nga Bashkitë, një përpjekje e trishtueshme për të ngjallur një traditë që e kemi vrarë me vetëdije. Në vend të karnevaleve, tani ka Ditë Vere e Halloween. Nuk po them se është keq. As që është mirë. Thjesht, kështu është.

Vendi i njerëzve jo-seriozë

Një gjë është e sigurt, ne nuk i braktisëm karnevalet ngaqë nuk kemi gjenin e humorit. Ne jemi një popull shumë gallataxhi, që asgjë nuk marrim dot seriozisht, as shtetin.
Është e vështirë të gjesh arsyet e vërteta pse kjo traditë vdiq. Kostot- karnevalet kushtojnë shumë së kostume e skena; tradita- pse duhej të mbijetonte në një vend të veshur nga NPV Korça; nevoja-karnevalet nuk hahen, pse duhet të preokupohemi; shkollat- ne nuk kemi një shkollë tonën për as gjë, larg qoftë për samba... Ndoshta Karnevalet vdiqën për të njëjtën arsye se pse shqiptarët që dolën matanë nxituan t’u vënë fëmijëve emra italianë e grekë, e deri hebraikë: çështje integriteti e krenarie për atë që është e jotja. Thjesht, e lamë të vdesë për të përqafuar festën e kungullit të tetorit. Siç lamë emrin Dafina për t’i quajtur kalamajtë Deborah.
Megjithatë ne kemi sot shumë nevojë për karnevalet. Pikërisht, ngaqë e vetmja mënyrë e mbetur për të përballuar realitetin është të qeshim me të. Unë, do kisha maskat e mia të preferuara për këtë maskeradë.

Maska e Presidentit

Maska e parë do të ishte ajo e Presidentit të Republikës. Unë ende nuk e di se çfarë ka nën maskën e përditshme të Presidentit, dhe është e vështirë të mund t’i bësh një gjyq moral kujtdo në këtë vend, ku ka kaq pak informacion e aksioni zhvillohet nën rrogoz. Por, mua më mjafton një gjë e vogël për të gjykuar një post të madh. Dhe kjo gjë e vogël, quhet Nazime Visha. Nazimja, është shembulli tipik i fatit të një vajze shqiptare të periferive, të cilën bota që e rrethon, meshkujt abuzues, shoqëria indiferente i lënë vetëm 2 opsione, dhe një prej tyre është vrasja. Edhe unë kam pritur pas inisiativës së disa personaliteteve, mes tyre Kadare e Agolli, që në listat e amnistisë presidenciale ku dëgjojmë për kandidimin e lloj-lloj njerëzve të rrezikshëm, të futet dhe emri i saj. Emri i Nazimes mungoi dhe në listën e fundit. Duket, lobimi i artistëve nuk është aq gudulisës për Presidentin. Mjafton vetëm një Nazime për të zbuluar një President, dhe për të shkuar më tej, dëgjoj nga goja e Eni Vasilit, autores së një shkrimi të guximshëm për fatin e Nazimes në duart e Presidentit (“Nazime Visha, viktimë e shoqërisë dhe e Presidentit të saj”; Panorama, 2014/03/04) që thotë publikisht në TV kishte marrë edhe presione për atë shkrim. Duhet të kenë qenë fansat e Presidentit.
Nuk e di se çfarë u dashka bërë për të lobuar lirinë e dikujt në këtë vend. Di që amnistohen dhjetëra e qindra vetë. Por, di që ti nuk amnistohesh nëse je një vajzë e varfër nga fshati që të mbështesin ca shkrimtarë e gazetarë.
Mjafton pra, një rast për të zbuluar një President. Ndaj, maska e Presidentit është një maskë që do e vishja për karnevale. Nën atë maskë mund të ishte cilido, përderisa Presidenti sillet njësoj si të ishte cilido.

Një maskë politike

Jam i bindur që në karnevalet tona të Brazilit, nuk do të mungonin maskat e politikanëve. Është thjesht perceptimi i të fortit. Kushdo që konsiderohet i pushtetshëm, e ka të sigurt një maskë. Komikja e maskave të politikanëve është që mund të visheshin nga të gjithë: nga ai që e vesh për ta tallur, dhe nga ai që e vesh se e do. Edhe pse, jam kurioz, sa shumë mund të durojë njeriu nën maskën e Berishës e Ramës, apo dhe të Metës.
Ka dhe një tufë maskash- maskat e “gjynafëve”, politikanë të cilët, për një arsye a një tjetër shihen nga publiku si gjynahqarë, edhe pse janë njerëz që çojnë jetë të mirë, kanë grumbulluar para e pushtet, por, nuk ia kanë dalë dot të zhveshin imazhin e njeriut që gjendet rastësisht në majat e pushtetit e të parasë. Basha është i pari i tyre, ndjekur nga Nard Ndokët e Ferdinand Xhaferrët.
Dyshoj se dhe maskat e feudalëve të periferisë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen, por janë si emra perëndish në pjesën tjetër të vendit që nuk është “Tiranë”, deputetë e kryetarë qyteezash, do të vishen. Do të vishen, sa prej hallit e sa prej fisit. Por, janë maska që të tërë do u rrinë larg. Janë maska, të destinuara për të pasur një hapësirë bosh rreth tyre madje dhe karnevalistët me maska Rame, Mete e Berishe. Sa për mua, nëse do duhej të vishja një maskë politikani, do ishte ajo e Fatos Nanos.

Një maskë si e Nanos

Nuk është thjesht legjenda prej gallataxhiu e Nanos që e bën atë fytyrën më të përshtatshme në një karnevale. Është krejt filozofia e tij e të vegjetuarit në krye të shtetit.
Thonë që është i zgjuar, me vese e qejfli, kritere totalisht të papërshtatshme për timonierin e një varke me vrima si e jona. Por, ndërsa kam qenë krejtësisht jo-pranues i filozofisë së një shtetit gallate, në retrospektivë, shoh që këtë varkën tonë e kanë pasur ndër duar ose timonierë të dhunshëm, që të përplasin pas shkëmbinjve për kokëfortësi e padije, ose timonierë arrogantë, ose timonierë me qëllime të vockla pesonale. Në këto kushte, kam nisur të mendoj që më mirë udhëtohet në një varkë ku timonieri është tapë ose në pab, sesa me këdo tjetër që mendon se timoni është i tiji përjetë. Kam përshtypjen, se njeriu me maskën e Nanos është ai që do kalonte më lumtur në festë. Përveç maskës së Lek Plepit.

Maska jetëgjatë e Lek Plepit

Nuk e di nga bëhet Lek Plepi, por vetë fakti që e dëgjoj si referencë herë pas here, qoftë dhe për humor, më bën të kuptoj që ai e ka përmbushur misionin e vet: Kthimin në simbol të asgjësë që kthehet në qendër të vëmendjes. E di që ka njerëz që mendojnë se tallen me Lek Plepin. Po të bëjnë llogaritë pro e kundër, mund t’u dalë që Lek Plepi ka marrë më shumë nga kjo shoqëri se shumë prej nesh. Mbi të gjitha, na ka marrë kohë. Nëse mendoni që Lekn Plepi ka dalë nga qarkullimi, më duhet t’ju kujtoj që ky vend nxjerr nga një Lek çdo muaj. Madje, ka programe apostafat për të na furnizuar me njerëz pa vlerë që na marrin kohë e vëmendje.

Maska e një pitbulli

Pit-bulli është simboli i Shqipërisë moderne: Qeni që shqyen edhe racën e vet, nëse e kanë mësuar keq apo e kanë përgatitur për luftë. Pak kush e di që pitbullëve ua presin veshët me një qëllim makabër, kur të vritet me qentë e tjerë, ata të tjerët të mos mund ta kafshojnë nga veshët. Kështu është dhe Shqipëria. Jemi të rrethuar nga qytetarë veshprerë. Gati për t’u therur për egot e sëmura ato maskat e kategorive më sipër. Mund të vishni një maskë pitbulli, po aq sa një maskë Llupoje a Prendi.

Maska e analistit

Pavarësisht tundimit, Maska që do kisha kuriozitet të provoja është ajo e një analisti apo gazetari. Në vitrinë, rrinë maskat që nga Fevziu tek Dudushi, nga Çani te Çim Peka, nga Henri Çili te Artan Hoxha, nga Frrok Çupi te Ylli Rakipi. Nuk e shoh në vitrinë maskën e Lubonjës. Besoj nuk shitet, e kanë magazinuar. Cilën duhet të vesh?
Jam shumë kurioz të shoh reagimin e njerëzve kur të shohin, për shembull, dikë të veshur me maskën e Fevziut në karnevale. Ose të Henri Çilit. Në fakt, këto nuk janë maska karnevalesh. Nuk ka asnjë arsye që analistët të bëhen personazhe të rëndësishme në jetën shoqërore, përveçse kur kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Në fakt, analistët e gazetarët tanë, pa përjashtim, e kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Kanë zëvendësuar në ekran çdo gjë tjetër. Edhe të vërtetën.

Pa karnevale

Pas një shëtitjeje për të blerë një maskë, mund të kuptoj pse nuk kemi Karnevale. Karnevalet janë një impuls i fortë feste, me kostume vezulluese, mes figurash e legjendash që i thonë diçka atyre që festojnë. Legjendat tona të vetme janë: Kush bëri sa lek, kush vrau kë, kush ka në dorë çfarë. Këto “legjenda” bashkëkohore, janë në të vërtetë një boshllëk pa shpirt, pa përmbajtje e pa domethënie. Janë një hiç kalimtar. Sikur kostumet më të bukura të botës e DJ-të më të famshëm të botës të investoheshin për të organzuar një palë karnevale alla-braziliançe te ne, unë s’do e merrja mundimin të dilja as në ballkon. Jo për të parë përsëri, dhe në rrugë, maskat e bajlozët e vitrinave më sipër.

No comments:

Post a Comment