Sunday, August 21, 2011

Ankthi i Panevojshëm i Gushtit

botuar te Shekulli, 21 gusht 2011

Këto ditët e fundit ka qenë e pamundur të mos ndjesh ankthin në rritje të njerëzve ndaj letrës së hapur të Edi Ramës, ku përcaktonte kursin e ri të vetin e të Partisë së vet.

Është pak e vështirë të ndash me vijë se sa ndikon letra e sa ndikojnë efektet e vapës së gushtit. I keni parë ata njerëzit që edhe pse janë në makina me kondicioner, i japin makinës çuditshëm në rrugë, me veprime të pamenduara e të papritura, duke rrezikuar veten e ty? E keni vënë re sa keq i bën vapa shoferëve?

Imagjinoni tani një person që e kanë vënë të ngasë një autobus me njerëz në një rrugë që nuk i shihet kreu, nën vapën e presionit popullor. Ky autobusi, mirë që është i mbushur plot me njerëz që kanë midera të çuditshme e nuk u dihen orekset, por ka fatin e keq të jetë i vetmi që e bën atë rrugë e plot njerëz të jenë kapur pas tij si kalamajtë te spondet e skodave dikur. Dhe tani, njerëzve u thuhet me një letër, zbrisni nga autobusi, se nuk shkon për “atje”.

Mbi letrën

Ta shohim pak këtë letrën. Nuk dua as ta analizoj, e as të shpjegoj. Më intereson më tepër reagimi ndaj letrës sesa “letra”. Thelbi i gjësë është pak a shumë e kundërta e asaj që të gjithë prisnin prej Edi Ramës. Kjo letër, vjen pas mijëra “letrave” virtuale të hedhura nëpër blogje nga njerëz të frustruar nga realiteti politik e ekonomik i këtij vendi, në intervista aleatësh e nga pretendime militantësh.

Është fare i dukshëm presioni i ngritur mbi Edi Ramën për ta çuar luftën deri në fund, me mjetet e deri tanishme, revolta, greva urie e etjeje, bojkotime parlamenti, denoncime zgjedhjesh, etj. Ishte ajo çfarë prisnin njerëzit prej tij, kur, tani marrin vesh se “iku vapa me gushtin”. Prandaj kursi i ri, ai i bashkëpunimit institucional për kodin, i ka lënë të gjithë të trashur, të pezmatuar e irrituar.

I reduktuar, mesazhi i letrës erdhi në veshin e shumë vetëve, i tillë: “protestat bëjini vetë po deshët, se unë nuk kam ndër mend ti udhëheq. Pushtetin do e marr kur të më vijë rradha”. Nuk do shumë mend për ët kuptuar pse shumë njerëz gjykojnë se ky nuk është frymëzimi i duhur për një “Shqipëri tjetër”.

Në sytë e shumë vetëve ajo letër është një tradhëti, tradhëti ndaj fëmijëve të Ziver Veizit, tradhëti ndaj atyre që u gjakosën me 21 janar, tradhëti ndaj atyre që dolën për zi më 28 janar, tradhëti ndaj atyre që ia dhanë me pahir votën së fundmi, të bindur se Rama është e keqja më e vogël.

Ka nga ata që besojnë se një marrëveshje nën tavolinë duhet të jetë bërë, dhe se diçka i është premtuar. Ka të tjerë që besojnë se më shumë kanë ndikim tek ai fjalët e ambasadorëve sesa interesat e elektoratit të majtë.

Shkurt, të tërë ata që njoh e plot që nuk njoh, janë pezmatuar keq. Ata ndjehen të tradhëtuar.

Por jo unë.

Mbi tradhëtinë

Arsyeja pse nuk jam aspak i zhgënjyer, e aq më pak i pezmatuar, është se nuk kam pritur kurrë asgjë nga Edi Rama.

Ajo që po u ndodh njerëzve është zhgënjimi nga një ëndërr që nuk ka ekzistuar në të vërtetë. Ata kishin vënë pritshmëritë e gabuara tek njeriu i gabuar. Me këtë nuk dua të them që Edi Rama është burrë i keq e as frikacak. Nuk kam informacionin e mjaftueshëm për ta gjykuar. Thjesht, ai nuk ishte personi ku duhej shpresuar.

Duke i kërkuar që të bëhet luftëtar, të marrë përkrenaren e të zhveshë pallën (atë prej metali) për të udhëhequr protestat (edhe të dhunshme) njerëzit i kanë kërkuar atij diçka që ai nuk mundej atëherë e nuk mundet tani ta bëjë. I gjendur nën presion, ka shumë kohë që ai është përpjekur ta luajë atë rol. Por, nuk është roli i tij dhe për këtë ai nuk ka asnjë faj.

Arsyeja pse njerëzit i kishin vënë të tëra shpresat te Edi Rama, mund të jenë disa. Madje, disa kishin vënë dhe më shumë se shpresat, kishin vënë NJË shpresë, të vetmen! Si njeriu që luan fishën e vet të fundit në kazino me të cilën i merr të tëra ose humbet gjithçka.

Disa e kanë bërë sepse në mënyrë të pandërgjegjëshme e shohin zgjidhjen për hallet e Shqipërisë në mënyrë institucionale. Presin që zgjidhja të vijë brenda establishmentit politik. Dhe në këtë varfëri politike, mundësitë e zgjedhjes janë të mjera.

Disa, i kishin hedhur shpresat aty, sepse, mendojnë bardh e zi. Ka njerëz që e shohin politikën si fushë shahu, ku luajnë vetëm gurë të bardhë e të zinj. Meqë ka ca vjet që po fiton i ziu, i vunë shpresat tek i bardhi. Nuk e di se çfarë i bën të besojnë edhe pas 20 vjetësh drama politike se, establishmenti politik i majtë është më i aftë ta ndërtojë këtë vend se i djathti.

Këtu politika nuk luhet me gurë të bardhë e të zinj, por luhet në fushë me dritë e fushë pa dritë, prej nga vijnë iluzionet e të bardhës e të zezës. Fituesi, luan në fushë të errët. Kundrështari, pret ti zërë fushën. Prandaj ngjajnë përherë të zinj kur janë në pushtet. Luajnë në të errët.

Disa, i vunë shpresat tek Edi Rama duke qenë pragmatistë. Është e vetmja figurë në opozitë, dhe sigurisht nuk ka kohë as për të shpresuar e as për të punuar për të sjellë kalorës të rinj. Duhet ndërruar pushteti tani, e le të shpresojmë që në qeveri do jetë ndryshe sesa në bashki.

Ka dhe të tjerë që për fat të keq, nuk shohin dot më larg se hunda e tyre.

Të tërë këta, ca me gjysmë zemre e ca me shpresë të plotë i ngritën pritshmëritë nga Edi Rama shumë lart. Dhe tani ndjehen të zhgënjyer. Për mua, i vetmi zhgënjim është që Edi Rama ka humbur sensin e humorit e të batutës, ka humbur të qenit “interesant”. Kjo po që është një humbje reale, një zhgënjim real. Por jo se humbi kalin dhe shpatën!

Ai, nuk ka pasur asgjë prej luftëtari me shpatë. Sigurisht, do kish qenë më e udhës të mos i bënte njerëzit të ëndërronin, por, me zermëgjerësi edhe mund ti falet. Fundja, deshi të ishte në lartësinë e një heroi postmodern. Nuk ishte rradha e tij.

Letra e tij është akti i sinqeritetit të parë, pas shumë kohësh. Ai, nuk mundet dhe e di që nuk e luan dot atë rol. Mendja ma do që për shumë kohë ka besuar se edhe mund ta luajë. Piktorët, nuk mund të luajnë “doktorash”.

Edi Rama ka lënë pas një shëtitore para ish-pallatit të pionierëve – gjëja e vetme e bukur në këtë qytet mostruoz – dhe ca vizatime mbi ftesat e seminareve ku ka marrë pjesë. Boll kërkuat prej tij më shumë. Lëreni të qetë.

Si tek filmi Matrix, ai nuk ishte “the One” dhe nuk ka pse mban ankth për këtë.

Mbi njeriun

Unë nuk kam votuar këtë radhë. Më saktë, kam votuar kundër të 2 kandidatëve. Të dy kishin kaluar vite në pushtet dhe na kishin dhënë mundësi të shihnim sesi dinë të qeverisin. Sigurisht, plot njerëz votuan për interesat personale, po unë s’kam punë me ta. Kam punë me ëndërrimtarët. Me ata që, me gjysmë-zemre, por prapëseprapë me shpresë, e hodhën votën këtë radhë. Unë nuk kam votuar. Sepse, nuk kisha e nuk kam pritshmëri për asnjërin nga kandidatët.

Atëherë, ku duhet shpresuar? Nëse ky jo, ai tjetri jo, atëherë kush do të vijë me shpatë në dorë ta çajë këtë lëmsh të pistë në mes e ta bëjë këtë vend më të njerëzishëm?

Nuk e di. E vetmja gjë që mund të them me siguri është se kush nuk mundet ta bëjë. Asnjë nga këta që keni në listat e votimit. Sa më të qartë të jeni për këtë, aq më të ulëta pritshmëritë, aq më i vogël zhgënjimi, dhe aq më shumë do rrini duke parë në horizont për një shpresë tjetër. Një shpresë, jashtë këtyre emrave e këtyre partive.

Ajo që na duhet tani nuk është thjesht një hero. Është ca më shumë. Është një mbinjeri në kuptimin niçean të fjalës. Rrjeta e pistë është bërë e frikshme, gradualisht po ndyhet çdo funksion shtetëror e qytetar. Thuajse çdo qelizë e funksionimit të shtetit është e korruptuar. Prandaj druaj se thjesht një hero nuk mjafton.

Për të mos i hyrë edhe më thellë përrallës së mbinjeriut, e vetmja gjë që mund të them është që unë besoj se një njeri do të vijë herët a vonë.

Ky vend nuk ka ardhur deri këtu mes shekujve, kot. Diçka, një ekuilibër i çuditshëm mes të mirës e të keqes në disa pika të historisë sonë ka bërë që e keqja mos e fundosë dot këtë vend. Historia ka treguar që ne kemi qenë në këtë pikë më shumë se një herë. Ata njerëz me flamuj e si të dehur nëpër rrugë janë parë edhe para 90 vitesh. Atëherë bërtisnin “Dum Babën”.

Koha për një njeri ka ardhur. Nuk e di sesi, por, do ta njohim.

Mbi pyetjen

Shumë njerëz do donin ti bënin shumë pyetje Edi Ramës. Disa me të ngecur, disa të drejtpërdrejta, disa njerëzore, disa pa përgjigje. Dis mbi të ashtuquajturën “tradhëti” e disa naivë “sa para ke?”.

Unë nuk e kam pasur e as e kam kërkuar fatin që ti bëj ndonjëherë ndonjë pyetje. Nuk kam se çfarë ti pyes. Siç ju thashë nuk kam pritur kurrë që ai të ishte heroi dhe nuk ndjehem i zhgënjyer nga ai.

Pyes veten se çfarë i mban këta njerëz këtu? E kam fjalën për këta që kanë vjedhur dhe janë bërë të pasur brenda muajsh pasi morën një post. I dimë të gjithë me emra, shumë i njohim dhe personalisht. Pasi kanë fituar aq para (“sa për 3 breza” thuhet), më lind pyetja, “pse rrinë akoma këtu”.

Pse rrinë të durojnë baltën në fytyrë, përfoljet në media e në tavolina për korrupsion, si mundet të jetojnë ata e fëmijët e tyre mes një energjie negative urrejtjeje që i rrethon? E vetmja përgjigje e pakënaqëshme dhe e paplotë që më vjen, është, “se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër”. Përveçse të vjedhin e të kenë pushtet të pamerituar, nuk do dinin ç’të bënin. Qoftë dhe me disa milionë euro në bankë.

Ndryshe nga këta që si profesion të vetëm në jetë kanë “pushtetarin”, Edi Rama është piktor. Mbase, po të ikte diku tjetër, ka një profesion që mund të rifillojë. Ka diçka me të cilën mund të merret, ta zemë, në Francë.

Tani që e mendoj, mund ti kisha bërë një pyetje. Vetëm një, që kam frikë se as ai vetë nuk e ka përgjigjen.

“Pse, do që të bëhesh kryeministër?”

No comments:

Post a Comment