botuar te Shekulli, 28 gusht 2011
Në një nga burgjet e vogla të Aeroportit të Vienës, burgje që ngjajnë si kabina telefoni – të vetmet vende ku lejohet duhani, pra që kryejnë funksionin e oxhakut – shoh një fytyrë të njohur.
Është Karafil Shena. Njerëz si Karafili janë të rëndësishëm në jetën time përderisa shoh me nostalgji të paktën një film në javë nga ata të kohës së Enverit. Karafili, për ata që emri nuk u lidhet me fytyrën këtë çast, është Fotaqi tek “Në çdo stinë”, personazhi që thotë një nga batutat klasike të filmit: “dhe në takimin e parë të dashurisë së parë, u ndamë për arsye parimore… Ajo nuk njihte Danten… Molierin…!”.
Karafili piu cigaren, doli nga qelia-oxhak, dhe u ul në banakun e Strauss Caffe të aeroportit. Këmishë e bardhë, mëngë të përveshura, porosit një kafe duke hedhur sytë përhumbshëm përreth.
Shoh Karafilin, ndërsa rrufis dhe unë një kafe, 3 tavolina më tej e ndër mend më vjen Shqipëria e para ’90.
Minus ‘90
Vras mendjen pse shumë njerëz, të paktën nga ata që njoh unë, i kthehen përherë me nostalgji filmave të kohës së Enverit. Më pak, ose aspak besoj, librave. Një nga arsyet është se që nga vitet ‘90 lëngu përcjellës i filmit është shtuar, ndërsa ai i librit, thuajse shterrur. Dikur çdo familje kishte etazher, por jo me doemos televizor. Tani, ndodh e kundërta. Kemi nga 2-3 televizorë në shtëpi dhe ndonjë libër, shpesh dhe ai është libër telefonash. Nuk flas për të gjithë, por për një masë të madhe. Por, arsyeja kryesore besoj pse i kthehemi filmave të realizmit socialist, edhe pse në to dukshëm depërton propagandë partie, është nevoja për të pasur kujtesë. Dhe këtë kujtesë, më mirë se filmi nuk mund ta bëjë asnjë medium tjetër. Ka 20 vjet që herë në mënyrë të pandërgjegjëshme e herë të qëllimshme, kujtesën po na e bjerrin. Mënyra sesi e tregojnë historinë në shkolla, si e përcjellin komunizmin në TV, dokumentarë e biseda, perceptimi që na vjen për 50 vite të jetës së një kombi, është aq i përçudnuar sa nuk ka më. Duket, sikur në atë periudhë njerëzit nuk kanë jetuar. Njerëz me akses në mediumet publike duan të përçojnë me forcë versionin e tyre të jetës së asaj kohe. Në fakt, çdo jetë e jetuar, ka vlerën e saj, dhe duhet treguar. Por, jeta e para ’90 nuk tregohet e plotë. Ka 20 vjet. Përveçse në filmat e realizmit socialist.
Në filmat e para ’90 vijnë ngjyra, tinguj dhe vende që nuk janë më. Gati më vjen të pëlcas nga inati që regjisorët atëherë kanë punuar shumë pak me plane të gjera. Diku, mund të kapësh një plan shumë të shkurtër të Lanës, siç ka qenë. Në një film tjetër, një copë rruge që nuk është më. Tiranën e vjetër, atë të masakruarën në këto 20 vjet, mezi e mbledhim me pikatore nga këta filma. E pastaj njerëzit. Gjuha. Fytyrat e dashura të një kohe kur kemi qenë fëmijë, e që na e kanë shkulur me të tëra format. Jeta, jo krejt siç ka qenë, por prapëseprapë jeta e këtij populli, arrin të depërtojë nga këta filma. Jo mes propagandës, por, e fshehur poshtë saj. Mes muzikës së filmave, mes karaktereve autentikë, në ato dhomat e vogla me bufetë e kanapetë, të tëra njësoj, për të gjithë. Ka një Shqipëri të para ’90, dhe ajo, ka mbetur vetëm aty.
Strauss Cafe
Kur e pata parë Karafilin, (Fili – për miqtë), në filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte, “Gjallë qenka ky?”. Sepse, meqë ajo kohë na duket e vdekur, edhe ata aktorë që kanë luajtur atëherë duket sikur kanë ikur bashkë me kohën. Karafili ka mbaruar kafen dhe ngrihet për të ardhur vërdallë, në një nga aeroportet më të mërzitshëm të Europës. Duhen të paktën dy orë derisa avioni që me sa duket presim të dy të bëhet gati për nisje.
Do kisha qejf ti flisja, por, më kujtohen artistët tanë, ata që nuk ikën kurrë nga vendi, me komplekset e tyre, e kjo më ndal. Po sikur ta bezdis?
Shoh edhe një herë orën. Fili sheh orën e nisjes në tabelën e orareve. Ka shumë kohë përpara dhe unë vendos ti flas. Ajo që më dukej shumë e vështirë, del, që ishte shumë e thjeshtë. Brenda pak sekondash, ja ku jemi, dy shqiptarë, në mes të një babeli gjuhësh ku mbizotëron sllavishtja.
Një pivo, dy pivo, shumë pivo
Kamarieri e merr Filin për serb. I drejtohet në serbisht, dhe unë mezi kap vetëm disa fjalë. Fili tenton ti sqarojë që nuk është serb, po kamerieri nuk bindet. I buzëqesh, e i flet ‘opet’ serbisht. “Më ngatërrojnë shpesh për serb”, thotë Fili. “Mbase nga mbiemri…” i them unë… “ose nga profili”, thotë ai.
Kamerieri ngul këmbë me serbishten. Madje, duket sikur mërzitet që Fili ia kthen në anglisht.
“Mbase mendon që jam nga atas serbët e rritur jashtë që bën tangërllik” thotë Fili me të qeshur. Për ti rënë shkurt, porosisim nga një pivo, mallo pivo, me ato dy fjalë të pakta që njohim nga fqinjët dhe unë mezi pres të flas me të për filmat.
“Bujari është trim” më rrëfen Fili për regjisorin e filmit Amnistia. Ai film është bërë me shumë mundime, dhe donte trimëri të çohej deri në fund. “Kur lexova skenarin, e vetmja gjë që i thashë është, ta bëjmë. Vetëm na siguro një tas groshë e një krevat në shesh xhirimi, asgjë më shumë”.
I rikthehemi filmit, unë me vërejtjet e mia, ai me kujtimet e veta. Kujtojmë skenën e burgut. Një skenë rrënqethëse në film. Alimani e kishte kërkuar me qiri atë vend, dhomën e takimeve intime të të burgosurve, ku dhe qentë do ndjeheshin keq të kishin një marrëdhënie, dhe e ruajti origjinale. Fili kujton entuziasmin e regjisorit që i tregonte për qelinë e takimeve që kish gjetur, të ndryshkur, të lagësht, të mykur, çnjerëzore. “Më tha, eja shihe se e kemi si yll… Nuk dua ta shoh i thashë Bujarit. Vajta direkt në xhirim. Ishte një skenë që nuk kishe nevojë të luaje. Vetë ai vend, origjinal e aspak i krijuar, të detyronte të ishe ai personazh!”
Roli i Filit, është roli më i vështirë në film. Aq sa, mua më gërryen përbrenda fakti që regjisori nuk i ka dhënë më shumë hapësirë që të zhvillohej. “Drama kryesore ishte e vajzës” thotë Fili për Luli Bitrin. Personazhi i Filit është ai i një burri i cili jeton një jetë boshe, mes depresionit social, alkoolit të lirë, filmave porno ëq i sheh në mënyrë pasive, e punës në shtypshkronjë. Një burrë, në jetën e të cilit nuk ndodh asgjë, përvese vizitat seksuale një herë në muaj tek e shoqja në burg. “Më ka mbetur merak që nuk më ka dalë një detaj, thotë. Personazhi im, tërë kohën pastron bojën me thonj nga gishtat”.
Vijnë pivot e dyta, dhe Fili, që ka dështuar të mos duket si serb para kamerierit, vetëm i buzëqesh. Ai ka vite në Greqi, ku punon si manaxher shpërndarjeje në firmën e disa miqve të vet. herë pas here luan dhe në Teatër, ka bërë dhe disa filma. Por, Greqia është si Shqipëria, me teatër nuk jeton dot. Dhe në këto kohë krize, është akoma më keq. Në Greqinë e 17 filmave në vit, këtë vit mezi janë prodhuar 3. “Festivali i Selanikut, thotë Fili, nuk do ketë më filma grekë”. Ai vetë nuk e ndjen luksin e të refuzuarit të roleve. Të vetmet role që nuk do të pranonte të luante janë ato ku denigrohen shqiptarët. Në teatër, kujton, ka refuzuar vetëm një rol të tillë. Por, shumica e artistëve janë korrektë, dhe shumë dashamirës ndaj nesh.
E pyes nëse është i martuar. “Jam shumë i martuar, vetëm unë nga kursi im kam ndenjur me të njëjtën grua”. Dhe qesh. Më vonë, kur ti vijnë miqtë me të cilët do të niset në festival, do fillojnë të flasin për fëmijët e tyre, për jetën që bëjnë në Greqi, dhe aty do të mund të shoh copëza jete njerëzore në emigrantët e integruar.
Pivot e fundit
“Tirana, më priti si një talent të ri” kujton Fili premierën në Tiranë. Është e çuditshme. Polici i filmit “2 herë mat” që rikthehet në një kohë tjetër, me një film, në të njëjtin vend. Në fakt, nuk është i njëjti vend. Vendi që ai ka lënë, është shndrruar ngadalë në një tjetër. Mua më duket sikur ata aktorë të “minus 90-s” apo ata artistë, nuk do të kthehen dot më. Ja, psh., Arben Imami, shok kursi i Filit. Për mua ka 2 Arben Imamë. Ai që luante tek “Në Çdo Stinë” dhe Imami tjetër, i “plus 90-s”, Imami i kohës së demokracisë. Shumë njerëz, kohët e reja i kanë ndarë në dy pjesë. Një pjesë e kanë lënë andej, para ’90-s, dhe në kohën e re kanë ndërtuar njeriun e ri të tranzicionit. Prandaj Tirana e priti si talent të ri aktorin e vjetër. Ne kemi vënë një perde me atë kohë e me ata filma.
Por, Filit nuk ia them këtë, tani që pivot na bëjnë të na duken të tërë rreth nesh, serbë që buzëqeshin me dashuri. Ky film, duket sikur e ka ringjallur aktorin për publikun dhe komunitetin artistik të Tiranës. Kjo i mjafton. Me modestinë e tij nuk kërkon më shumë. Vetëm të luajë filma, e njerëzve tu pëlqejnë.
Orët kanë ikur duke folur për filmat e për njerëzit, dhe mua më vjen zor ta pyes për jetën para ’90-s. Kamerieri, na e sjell faturën e na thotë me të qeshur diçka në serbisht.
Unë jam i vendosur të paguaj. Jo se jam tip xhymert. Por, po paguaj detyrimet që kam ndaj asaj epoke që njerëz si Karafil Shena e kanë marrë me vete dhe e mbajnë akoma të paprekur atje ku jetojnë, larg Shqipërisë. Njerëzilliku i asaj kohe, për aq sa ka qenë, është akoma, diku. Në emigracion. I paprekur nga etja për të bërë gropa e për të ngritur pallate i epokës sonë të tranzicionit.
Sunday, August 28, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment