Saturday, August 6, 2011

Perandoria e së Keqes

Al Franken, shkruante para disa vitesh për pronarin më të madh të medias në botë, Rupert Murdoch: “Murdoch i përdor kompanitë e tij të ndryshme... për të promovuar interesat e veta financiare në kurriz të mbledhjes së vërtetë të lajmit, neneve ligjore e rregullatore, dhe të etikës gazetareske. Ai e vringëllin median e tij si një instrument për të krijuar influencë tek politikanët që më pas i përdor dhe i rrënon kundërshtarët përmes rradhëve të lajmeve të veta. Nëse ekziston ndonjëherë rasti kur dikush ka të përqëndruar tërë pushtetin e masave në një palë duar, atëherë ky dikush është Murdoch.”

Murdoch është shembulli konkret i ndërtimit të një marrëdhënieje perverse mes medias, masave popullore dhe politikës, ku ai që dëmtohet përherë, ai në kurriz të të cilit ngrihet pushteti i të tjerëve, është populli.

Arsyeja pse më interson kjo ngjarje britanike, është paralelja që mund të heq me Shqipërinë. Kur një vend si Britania mund të gjunjëzohet, qoftë dhe përkohësisht nga një pronar medie, po Shqipëria, që ka treguar me shembuj që e shkërmoq dhe një Sude?

Rasti britanik

Nëse nuk jeni shumë familjarë me rastin, mund t’jua shpjegoj sa më shkurt, si të ishim duke bërë bisedë në kafe.

Murdoch, në 2010 renditej i 13-i në botë për nga influenca, sipas revistës Forbes. Kjo falë qindra gazetave anekënd globit, mes të cilave dhe Wall Street Journal, The New York Post, Times, Sunday Times, Sun, etj., disa rrjeteve televizive, si Fox apo Sky, etj., shtëpi botuese, kompani filmike e plot të tjera.

Problemet britanike të Murdokut (ia ktheva shqip atë “ch”) kanë nisur që para disa vitesh kur u mor vesh që gazetarët e gazetave të tij përgjonin telefonat e njerëzve të famshëm për të nxjerrë pastaj në dritë sekretet e jetës së tyre, duke mbërritur deri në detaje të dhimbshme a intime, si sëmundja e fëmijës së një deputeti e shtatzania e një personazhi VIP. Megjithatë, në shumicën e rasteve hetimet janë mbyllur, si për faktin që media e tij i trembte se do tua ekspozonte jetën ashtu edhe për faktin që Murdoku kishte ndikim të madh në politikën britanike, duke qenë njeriu që mund të të ngrinte ose të të përplaste, falë mediave të tij.

Një ish Kryeredaktor i News of The World – e përjavshmja e skandaleve - u bë drejtor për mediat i partisë së Kryeministrit David Cameron. Vetë Kryeministri britanik është në qendër të akuzave sepse ka pasur gjatë 14 muajve të fundit 26 takime sekrete me drejtuesit e mediave të Murdokut.

Shpërthimi i skandalit, nisi me publikimin e fakteve që gazetarët e News of The World kishin përgjuar edhe familjen mbretërore, edhe familjet e ushtarëve të rënë në Afganistan, dhe arriti kulmin kur u mor vesh që ata kishin fshirë mesazhe zanore nga telefoni i një vajze 13 vjeçare të përdhunuar e të vrarë më pas nga një maniak, vetëm për të mbushur faqet e gazetës me dhimbjen e prindërve. Ato mesazhe nuk u lexuan kurrë nga viktima, por policia nisi të besonte se vajza ishte gjallë. Me këtë rast, toleranca e publikut britanik shkoi në zero. Sponsorët u tërhoqën. News of the World pushoi së botuari pas 168 vitesh. Këshilltari i Cameron, ish-Kryeredaktori i saj dha dorëheqjen dhe u arrestua. Kryeredaktorja aktuale u arrestua dhe u mor në pyetje për mbi 7 orë.

E gjitha kjo, sepse kishin përgjuar telefonat e njerëzve për të shitur një gazetë thashethemesh.

Gazetat e thashethemeve

I tërë pushteti i News of the World (NoW) apo simotrës së saj, The Sun, qendronte në faktin që ato i jepnin njerëzve atë që njerëzit donin: Thashethemet e VIP-ave e politikanëve.
Vetë Murdok pati shpallur devizën e re të gazetarisë, t’i shërbejmë popullit atë që do të dijë.

Duke i dhënë popullit atë që populli do, ata arritën të ndërtojnë një armë të fortë mediatike. Aq, sa të kishin ndikim të zgjidhnin edhe kryeministrin. The Sun, pas fitores së David Cameron një vit e ca më parë, hapej me titullin: “The Sun fiton zgjedhjet”. Gazeta e thashethemeve e kishte mbështetur, dhe Cameron kishte fituar. Pra, gazeta kishte fituar.

Populli britanik është po aq fajtor për këtë që ka ndodhur. Fajtor për verbërinë e tij. Mediat, bëhen aq të fuqishme sepse njerëzit i lexojnë. Teorikisht, duhej të ishin qeni roje i interesave të publikut. Por, nëse publiku argëtohet me mediat-qen-roje kur trembin vajzat në rrugë apo kur zihen në beteja qensh, ky qen, nuk është më qen-roje. Është qeni që kafshon të zotin e vet.

Një gazetë thashethemesh duket si diçka e padëmshme. Ashtu si duket dhe një TV me spektakle. Rrjeti kabllor Fox (po i Murdokut) kishte 9 nga 10 programet më të ndjekura të argëtimit në Amerikë. Argëtimi është vetëm karremi për lexuesit e shikuesit. Më kujtohet para do vitesh, një spikere që nuk pranonte të lexonte si lajm kryesor një “lajm” për Paris Hilton, ndërsa liheshin si të dorës së dytë lajmet e luftës në Afganistan.

Një gazetë thashethemesh nuk është kurrë e padëmshme. Ajo e orienton vëmendjen e publikut në ngjarje e njerëz që nuk kanë vlerë. Fakti që në listat për deputetë të Partive gjenden të tërë hiç-ët e Big Brotherit tregon se deri ku mund të shkojë marrëdhënia e sëmurë “publik-media thashethemesh”.

Populli është përherë i panginjur për thashetheme, dhe gazeta duhet ta ushqejë. Deri dje NoW merrej me VIP-at e politikanët. Kur këta nuk jepnin më, iu sul njerëzve të malavitës, kriminelë e emigrantë. Kur dhe këta s’mjaftonin, iu sul njerëzve të thjeshtë. Atyre që Murdok pretendon që media u shërben. Pre e përgjimeve u bënë ata që e lexonin gazetën, prindërit e një vajze të përdhunuar e vrarë, familjarët e ushtarëve të rënë në Afganistan, viktimat e sulmit me Bomba në Londër më 2005.
NoW ka përgjuar mbi tridhjetë mijë telefona për t’i dhënë publikut thashethemin e mezipritur, sensacionin, scoop-in.


Përgjimet

Çështja se deri ku duhet të shkojë një media, vlen shumë dhe për Shqipërinë. Në kohën kur asnjë nga strukturat e këtij vendi nuk e kryen detyrën e vet, as prokuroria, as gjykata, as institucionet e monitorimit, kush do na e thotë të vërtetën?

A jemi gati që të pranojmë që një media të publikojë “përgjime”?

Imagjinoni sikur një gazetë të kishte përgjuar shitjen e detit, ta zemë. Një bisedë telefonike mes një funksionari të lartë të shtetit, atij që ka organizuar a ndihmuar tërë projektin, dhe “blerësit” të detit. Një bisedë e regjistruar në mënyrë të paligjshme, por që hedh dritë mbi realitetin politik të këtij vendi.
Ju, do donit që të shfaqej apo jo?

A ka rëndësi për ju fakti që ky përgjim është bërë në zyrën e tij, që kjo zyrë ka humbur “shenjtërinë” e vet?
Cilat janë parametrat që duhet të vendosim? Kush duhet ti vendosë? Nëse në Parlament janë miqtë, shokët, bashkëpunëtorët e ortakët e atij që bën shitjen, çfarë ligji do të kalonin në lidhje me përgjimet? Çfarë do nxirrte komisioni i tyre parlamentar për shitjen e detit? A do dënohej njeri?

Në një dilemë të tillë, mes interesit të kombit dhe paprekshmërisë së privatësisë së individit, unë do të isha për individin. Teorkisht, duke ruajtur qelizën, kemi mbrojtur të tërën.
Problemi është, që kufijtë e individit në një vend si i yni do të ruheshin vetëm për disa të privilegjuar. Aktualisht, individë të rëndomtë përdoren nga media në mënyrë të paskrupullt, pa asnjë lloj etike, identiteti i tyre përdhoset pa të keq, e askush nuk i mbron. E as ka për t’i mbrojtur. Prandaj, sado të përpiqemi ta ruajmë privatësinë e individit, ajo do të vlejë vetëm për të privilegjuarit e këtij vendi.

Në mungesë të instrumenteve të tjera për të zbuluar të vërtetën, i vetmi vend ku (gënjehemi) se mund të falemi është media. Media, që është martuar prej kohësh me pushtetin.

Martesa e medias me pushtetin

Ajo që Lubonja e bërtet në shkretëtirë prej vitesh, është transparenca e vetë medias. Ne nuk kemi, dhe kushedi kur do kemi transparencë të medias. Shqipëria është i vetmi vend europian ku mediat shiten e askush nuk e di kush i ka blerë. Jo rrallë kemi dëgjuar që pas kësaj gazete është filani, ose pas këtij TV është një eminencë gri, që askush nuk i njeh. Me pronarë që nuk njihen, me gjasme-pronarë fasadë, është e vështirë ët kuptosh nëse kjo medie i shërben publikut apo disa interesave të fshehta. Askund nuk raportohet, as në institucionet që e kanë për detyrë, se a janë të lidhura mediat e bizneset, bizneset e politika, gazetarët e pushteti.

Në një vend ku shumica e popullsisë lexon vetëm titujt në pasqyrën e shtypit në TV, askush nuk kërkon përgjegjësi mediatike e as etikë gazetarie. Ka shumë gazeta ku titulli në faqe të parë është i rremë e nuk ka lidhje fare me artikullin, veç për të tërhequr vëmendjen.

Media mbahetr me sponsorë, të cilët fitohen me përqindjen e lexuesve. Por, te ne sponsorët ndahen në mënyrë selektive e preferenciale duke i prerë këmbët mediave në opozitë, prej 20 vitesh. Sponsorët nuk ndahen në bazë të shitjeve. Në fakt, shitjet janë sekret. Gazeta që dalin me 200 kopje qendrojnë “të forta” në tezga e marrin reklama njësoj sa ato që shiten me 2 e 10 mijë kopje, në mos më shumë. Dh ejo më kot këta sponsorë janë në gjendje të diktojnë politikat editoriale e madje edhe të heqin shkrime e kronika nga lajmet, nëse nuk u vjen përmbarë.

Për aq sa mund të gjykojë njeriu, në këtë vend të tëra mediat mund t’i ketë blerë një njeri i vetëm, ose një grup shokësh të pasur, e ne të mos dimë gjë. Sepse, ne nuk na njofton askush. Ne, vetëm fryjmë sytë duke lexuar titujt e thashethemeve në pasqyrën e shtypit në TV.

Media e pushtetit, që në gjenezë duhej të ishin në dy pole të kundërta e të papajtueshme, këtu te ne gëzojnë një martesë të lumtur. Ndërsa populli, që duhet të kishte të paktën një qen roje – median – është lënë në gojë të ujqërve. Se, media jonë nuk është qeni roje i publikut, por qen-ujk i pushtetit.

Këshilltarët e rremë

Një nga pjesët e rënda të ngjarjes britanike është fakti që Kryeredaktori i kësaj gazete thashethemesh u bë një këshilltar me influencë i tij. Sa plasi skandali, dha dorëheqjen. Vetë Kryeministri mund të ketëpasoja të rënda në karrierën e tij. Nuk duan tia falin ato 25 takime në 14 muaj që ka bërë me shefat e korporatës. Vetëm për kaq! Bëri një zgjedhje të gabuar. Punësoi Kryeredaktorin e një gazete e cila sot është mes skandalesh!

Kjo normë nuk i përket Shqipërisë.
Normalja do të ishte që kushdo që zgjidhet në një post të rëndësishëm, sidomos lidhur me mediat dhe komunikimin në shtet, t’i bëhej një rezyme e debat publik. Atëherë do shihnim që njerëz që kanë punuar më parë në aksh gazetë e filan TV janë bërë të rëndësishëm në strukturat e pushtetit. Dyshimi i madh, është që a mundet më ajo gazetë, ku ka qenë “kokë” ky gazetar, të jetë ndonjëherë kritike me qeverinë e tij? Sa i besueshëm mund të jetë një gazetar që kalon kaq kollaj nga redaksia që i kërkon transparencë pushtetit, në zyrat e tij? Po të kishim mundësinë e debatit publik, këta njerëz që operojnë në hije në favor të pushtetit do kishin frikë, të paktën nga ekspozimi.
Për të mos folur për gazetarët-këshilltarë në hije, ata që nuk kanë post real, por që kanë ndikim në vendimmarrje në instanca të ndryshme të pushtetit.

Ata nuk mund të jenë qeni yt. Ata, janë qeni që leh vetëm për kockën e vet.

Në Britani mund t’i kenë mjetet për t’i bërë ballë Perandorisë të së keqes, në Shqipëri, Perandoria e së keqes mund të mposhtet vetëm po të kthehemi në origjinën e largët: në epokën e gurit, pa letër, pa elektricitet, pa kompjutera, pa thashetheme VIP-ash e politikanësh. Ose... në origjinën tonë më të afërt. Të kthehemi tek Rilindja jonë, tek ata burrat e pakompromis e idealistë që e donin me të vërtetë këtë vend, dhe t’ua heqim audiencën këshilltarëve të rremë me kockat e tyre.

No comments:

Post a Comment