botuar te Shekulli dt 14 gusht 2011
Perandoritë po bien. Njeriu, po ngrihet. Diçka ka në ajër.
Në fillim vendet arabe, tani Anglia. Nuk dua të them, Britania. Dua të them Anglia. Nuk jam britanik dhe e kuptoj vetëm së jashtmi nevojën e tyre për të thënë “jemi britanikë”, në vend të “jemi anglezë” apo “skocezë”, apo “uellshë”. Perandoritë, po bien. Kombet po ngrihen.
Ka diçka që më tremb e ka diçka që më ngjall shpresë në tërë këtë që po ndodh, dhe desha ta ndaj me ju.
Në fillim desha ta quaja këtë Tartë, “leksione angleze”. Por, meqë po e shkruaj duke dëgjuar një cyberpunk të lashtë të vitit 1992 nga Billy Idol, mendova, në dreq me titujt politikisht korrektë. Le të flasim për shpirtin. Për shpirtin e zjarrit, të revoltës, e të huliganizmit. Për gjërat që po digjen e që do të digjen. Në 1992, revoltat në Los Angeles ishte një shock për sistemin. Tani është më shumë. Mund të jetë fundi i sistemit. Fillimi i fundit.
Ahh riot, rape, race and revolution…
Kështu e fillon Billy Idol, këngën që e ngriti fill pasi Los Anxheles u dogj nga protestat disa ditëshe më 1992, nëse nuk gaboj. Në atë kohë, sistemi ka qenë ndryshe. Bota ka qenë tjetër dhe muzika po ashtu. Vitet ‘80, të cilat përkufizuan një nocion tepër të lartë të lirisë po mbylleshin e bashkë me to edhe përkufizimi i lirisë. Sikur perëndimi të mos kishte qenë ai që ishte në vitet ‘70 e ‘80, ndryshimi i madh politik në lindje mund të mos kishte nisur. Por, magneti i lirisë ishte shumë i fortë. Perëndimit i duhej ky magnet për të thithur lindjen komuniste e për të dëshmuar superioritetin e sistemit. Kur flas për sistem, e kam fjalën pikërisht për atë, perëndimorin, që u standartizua në vitet ’80 me demokracinë dhe kapitalizmin, lirinë dhe të drejtën e revoltës, me sindikatat e studentët.
Pa qenë ekspert, e pa dashur të stërholloj teorira të përgjthshme, s’mund të rri pa vënë re që në lindje demokracia nuk arriti të funksionojë. Dhe kur them për lindje, nuk e kam fjalën për ne. Politikisht, ne jemi në lindje të lindjes së Lindjes. Ne jemi dhe më në lindje se Kina, po qe për atë punë. E kam fjalën për vendet e lindjes europiane, me një traditë të mëparshme qytetarie e demokracie, me lidhje organike të vjetra me kontinentin. Me vende, ku demokracia ka lindur, e nuk është importuar. Nëse dhe Hungaria e Çekia nuk arritën ta marrin standartin e lirisë e ta aplikojnë pa probleme, atëherë vetë sistemi ka probleme.
Pasi magneti i thithi, i la aty. Sot, ato kanë probleme. Jo si tonat, por kanë.
Pas viteve ’90, sistemi nisi të përsosej. Jo për njerëzit, por kundër njerëzve. Edhe vetë perëndimi nuk kishte nevojë për aq shumë liri sa në vitet ’80. Magneti nuk i duhet më edhe aq. Kina është tepër larg për tu menaxhuar me magnetë. Gjiri persik manaxhohet me metoda të tjera. Sistemi, pas viteve ’90 filloi ta mbyllë pak nga pak dritaren e lirisë edhe në Perëndim. Makineritë me rreze X në aeroporte, e drejta për të të hyrë në emailet e tua pa të pyetur, Londra – qyteti më i survejuar në botë, ku dhe në banjë të ndjekin kamera sigurie, e plot të tjera, gjëra në dukje të vogla, gjëra “për të mirën tënde”, vetëm se e kufizuan lirinë. Ndërrimi i kitaristëve flokëgjatë me femra shalëgjata, i teksteve kundër sistemit me pop e R’nB, imponimi i asaj muzike që dëgjoni sot dhe i zhdukjes nga qarkullimi i rebelëve si Billy Idol, është pjesë e sistemit që po përsoset. Sistemi as në muzikë nuk promovon më rebelizmin, se nuk i duhet. I duhet një rini idiote që e sjell për hunde dhe një elitë intelektuale e mbytur në kredira bankare. Sistemi, po tenton të mbyllet që pas viteve ’90 dhe pasojat e saj po i shohim sot.
Më 1992, revoltat e Los Anxhelesit lindën për arsye të ngjashme me këto të Anglisë. Policia, e cila vret një zezak që mund të ishte dhe hajdut, dhe trafikant. Por, liria e nënkupton revoltën.
Sot debati i zjarrtë mes shumë njerëzve, është ky: A lejohet revolta e atyre që djegin. Huliganët që dogjën Totenhemin e më pas krejt Londrën, a duhen lejuar të protestojnë? Nëse një grua vdes nga flakët, a ka kuptim e drejta e tyre për të bërtitur.
Ky debat, është i rremë. Ky debat, nuk është thelbi i asaj që po ndodh. Ky debat, tenton t’ju çojë në rrugë pa krye.
21 janari i Londrës
Arsyeja pse shumë vetë duan ta ngrenë në plan huliganizmi revoltën e Londrës, është ose se janë naivisht racionalë, ose, sepse kërkojnë tërthorazi të legjitimojnë 21 janarin. Po hodhe gurë, do hash plumba! Kjo është logjika. Në Londër të tolerojnë se “ashtu e kanë ata”, por e kanë gabim. “Ç’faj kam unë mor zotëri, se ti do të protestosh e më djeg makinën që kam parkuar poshtë?”. Ruhuni nga ata që përdorin fjali me “mor zotëri” brenda, sepse do të thotë që kanë dëgjuar shumë fjalime të një diktatori.
Duan ta drejtojnë debatin tek “a duhet policia të vrasë”. Dikush thotë, policia e Londrës është standarti që duhet aplikuar. Një polici që nuk të vret, por të arreston. Sigurisht, duke nënkuptuar 21 janarin tonë jashtë çdo stadarti njerëzor. Dikush tjetër, bindet se revoltat të çonkan te huliganizmi, e huliganizmi të djeg makinën tënde. Pra, ti duhet të jesh kundër huliganizmit.
Por, ky është debati i gabuar.
Tema, nuk është kjo.
Vërtetë, ngjarjet e Londrës kanë huliganizëm. Ato janë akte huliganizmi, por revolucionet nuk vijnë me dorashka të bardha. Revolucionet vijnë nga poshtë, në to ka llum e erë të keqe. Por, askush nuk ka faj se e kanë lënë të jetoj në llum e ndyrësi. Rebelizmi, të ndihmon të shohësh çfarë ka në të vërtetë në themelet e kësaj shoqërie.
Ngjarja e Londrës, sipas dikuj që jeton në Londër është pak a shumë kjo:
“Motivi fillestar ishte që u vra një baba me katër fëmijë (i cili ishte i armatosur në fakt po nuk e kishte nxjerrë armën drejt policëve). Familja nisi një protestë paqësore që u injorua nga policia e Totenhamit- njëra nga lagjet më të varfra në Londër. Meqë s`po bëhej asnjë deklaratë, protesta nisi të bëhej e dhunshme. Më pas nëpër gjithë Shtëpitë e Këshillit (shtëpitë në të cilat shteti strehon ata që kanë nevojë) nisën papritur të organizohen banda dhe grupe gangstere nisën ta përdorin këtë për anarki, për të sulmuar e vjedhur nëpër dyqane etj. Jo rastësisht, vendet më problematike nga këndveshtrimi i rendit kanë qenë ato më të varfrat. Familja e viktimës nisi ta dënojë dhunën por tashmë gangsterët e kishin marrë kontrollin duke vjedhur dyqanet e shtrenjta, elektroshtëpiake, bizhuteri, celularë, etj. Depoja e Sony-t pasi u dogj iu vu flaka. Në ditën e dytë problemet nisën në Manchester, Birmingham dhe qytete të tjera. Rebelët thonë që qeveria – e cila po përpiqet të mbajë nën kontroll borxhin publik – me uljen e defiçitit po godet më shumë klasën e ulët duke ulur ndihmat dhe kështu ata nuk mund të përballojnë më jetesën e shkollën dhe detyrohen të vjedhin. Shteti nuk po kujdeset më për shtetasit ndaj plasi anarkia. Dhuna e policisë ishte arsye në fillim, por kur protesta u bë e dhunshme të gjithë harruan për të.”
Revolucione me dorashka të bardha nuk ka. Me dorashka të bardha janë vetëm hajdutët VIP, ata që po e shtrydhin sistemin në mënyrë të ligjshme. Ata me dorashka të bardha nuk kanë nevojë të bëjne revoltë, se u trembet lopa që po mjelin. Fëmijët e pashkollë a të rinjtë e papunë, nuk kanë para për dorashka të bardha, madje, s’besoj se ua ndjen. Ata kanë një mllef kundër sistemit. Vjedhjet, djegiet, mund të quhen edhe huliganizëm, por, tregojnë një të vërtetë të madhe. Njerëzit, e urrejnë sistemin.
Nga lajmet londineze, më interesanti ishte njëri që tregonte se ndër të arrestuarit nuk ishin të tërë “huliganë”. Kishte mësues, studentë, madje dhe e bija e një milioneri apo njerëz të tjerë që nuk kanë arsye të vjedhin.
Sepse, çështja nuk është “a kanë të drejtë të djegin e të vjedhin”. Çështja është, se sistemi nuk funksionon, nuk riparohet, dhe se e vetmja mënyrë e mbetur është ta djegësh.
Ata që djegin e që vjedhin, ata që godasin policinë, kanë me vete një të vërtetë të verbër:
Ky sistem nuk funksionon më.
Manipulimi i sistemit
Ka një barcaletë italiane, jo shumë etike, por që unë do ta shkruaj. “Një rus, ngrihet në mëngjes, mbush shishen me vodka e shkon në punë. Një skocez, ngrihet në mëngjes, mbush shishen me uiski, e shkon në punë. Një italian, mbush shishen me urinë, e shkon të paguajë kredinë.” Kështu ndjehen italianët, ndrësa Italia mban rradhën për krizë. Në fakt, ajo shishja e veçantë vlen për të tërë ata, për tërë botën.
Ajo makinë që digjet në Londër dëmton një njeri që nuk ka asnjë faj. Një njeri, që ndoshta po e paguan akoma ATË MAKINË me kredinë që nuk mbaron kurrë.
Dhe vera angleze, po ndodh, shi për këtë!
Njeriu i viteve 2010-të po vdes nën çizmen e të pasurve pa e kuptuar pse. Nuk ka njeri nga ata që unë njoh që mos ketë të paktën një kredi. Bankat, janë skllavopronarët modernë. Ndërkohë që populli gjerman paguan taksa që bankat gjermane mos humbasin para në falimentimin grek. Ndërkohë që Obamës, republikanët ia lidhën këmbët, e detyruan që barrën e borxhit ta mbajnë prapë të varfrit. Një grup i paidentifikuar të pasurish lëvizin fijet e botës, dhe fijet e informacionit tonë me anë të mediave. Shteti u shërben vetëm të pasurve, dhe masat kundër krizave mbrojnë vetëm ata që kanë shumë para. Në Somali po vdesin me mijëra në javë nga uria. Po vdesin tani. Tani! Tani që ti po lexon. Ky është sistemi global.
Duket qesharake kur unë ankohem për muzikën. Kjo muzikë që mbizotëron sot, është një rraketake boshe e që nuk të thotë asgjë. Dëgjoni tekstet e Rihanës e krahasojni qoftë dhe me ato të Madonës në vitet ’80 (që mos them me tekstet e Pink Floyd). Sistemi, e ka përsosur rrjetin shtypës.
Londra është shumë afër qendrës, por dhe aty, media mund ta injorojë vrasjen e një babai apo të revoltës së familjarëve. Atëherë, të digjet Londra!
Një shkrim interesant tek saktivista.com ngrinte problemin se pse media hesht për revoltat që vazhdojnë në Egjipt? Sepse medias, ose dikujt pas saj i interesonte të hidhte Mubarakun, por nuk i intereson të tregojë që Egjipti zien akoma. Atje, protestat vazhdojnë. Sepse, pranvera arabe nuk ishte kundër një njeriu, ishte kundër sistemit. Por, mediat janë bërë palë me sistemin.
Tani, trazirat po mbërthejnë zemrën e tij. Vera angleze, jep shpresë dhe dhimbje.
Londra shqiptare
Deri para pak ditësh, isha nga ata që thonin, “të kesh të ikësh nga ky vend e të jetosh në Londër”. Londra, është parajsë krahasuar me këtë Miss-in tonë pabukse. Por ja që dhe në Londër, sistemi nuk funksionoka. Edhe në Londër, mund të digjet makina jote.
Shumë londinezë, njerëz të trembur nga ideja e dhunës, janë në të njëjtin qerthull debati, sa na duhet dhuna.
Këta që sundojnë botën e shtetet, me atë e përjetësojnë pushtetin, duke i trembur njerëzit me idenë e dhunës. Me frikën, se ja, do të ta djegin makinën. Kjo frikë gjendet kudo ku ka njerëz, por, kjo nuk e fsheh të vërtetën. Sistemi, është i kalbur. I tërë sistemi. Dhe në tërë këtë kalbësirë, ne jemi cepi më i kalbur i ngrehinës, ku çfarëdo të ndodhë, nuk i intereson kujt, në zemër të sistemit.
Kam qenë i pezmatuar deri dje me paaftësinë e njerëzve të mi për të qenë qytetarë, para se të jenë partiakë, për të qenë të lirë, para se të jenë militantë. Më habit fakti që nuk ndjej reagim qytetar ndaj problemeve të shumta të sistemit. Më tremb mungesa e solidarizimit me kauza njerëzore si ajo e minatorëve, me kauza ekonomike si abuzimi i vazhdueshëm i kompanive të mëdha me abonentët e klientët, me kauza shpirtërore si fëmijët e Ziver Veizit, apo me kauza të së ardhmes si ajo e derdhjes së naftës në Zvërnec. Heshtja e tyre, më tremb.
Por pranvera arabe dhe vera angleze, treguan që sistemi nuk ka ende armët perfekte për ta dhunuar shpirtin, dhe se durimi njerëzor ka një kufi.
Londra ishte një parajsë para pak ditësh. Shqipëria është një oaz qetësie tani.
Vizione
Nuk dua të bëj si profet e as si vizionar, por ka gjëra që mund të ndjehen. Kur vjen tërmeti, të parët e ndjejnë peshqit. Jo breshkat që mban dikush në zyrë, por peshqit. Nëse dikush në këtë vend ka mend, do kuptojë që peshqit e kanë dhënë sinjalin. Tërë kjo qetësi e rreme, nuk është e mirë. Nuk e di a ka akoma kohë për të ndrequr diçka në këtë sistem. Kohë mbase ka, po s’di a ka më njerëz në këtë shtet që të kuptojnë se duhet bërë diçka që mos të presim verën tonë angleze. Dhe kur them “diçka” jo të blejmë helikopterë. Helikopterë kishte dhe Mubaraku.
Vera angleze nuk është çështje huliganizmi, është çështje e sistemit. Nuk do habitesha, po të shihja ndonjë ditë mësuesen time të vjetër të letërsisë duke hedhur molotov. Edhe ajo, duhet të jetë kundër sistemit.
Siç këndon Billy Idol, It was a night / Hell of a night, L.A., it really was / Oh what a riot / I said yeah, come on / It makes my life feel real / Fear police and civil corruption oh yeah / Is there a man who would be king / And the world stood still…
You can rock this land baby!
Nuk ka nevojë t’jua përkthej. Kur të vijë dita, do ta kuptoni se çfarë është.
Ti mund ta shkundësh këtë tokë!
Sunday, August 14, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment